Qeveria ka vendosur në mbledhjen e fundit disa ndryshime në përcaktimin e kategorisë së tatimpaguesve dhe kritereve të përdorimit të procedurës së thjeshtuar të fiskalizimit.
Më konkretisht, tatimpaguesit që lëshojnë fatura për transanksione me para në dorë, mund të lëshojnë fatura tatimore, nëse plotësojnë kushtet kumulative, që nuk janë subjekt i tvsh-së; kanë përgjegjësi tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi; (duke hequr në këtë mënyrë përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël); nuk kanë më shumë se një vendndodhje dhe kanë kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”; duke u hequr në këtë mënyrë përcaktimin e statusit ligjor “person fizik”.
Po kështu, ky ndryshim aplikohet edhe për tatimpaguesit që nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, të cilët lëshojnë fatura elektronike për transaksione pa para në dorë, mund të lëshojnë fatura dhe të kryejnë procedurën e fiskalizimit përmes përdorimit të platformës qendrore të faturave nëse plotësojnë njëkohësisht midis kushteve të tjera edhe përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe kanë kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”.
Mbetet në fuqi përcaktimi se qoftë edhe nëse një prej kushteve kumulative nuk plotësohet, tatimpaguesit nuk mund të përdorin platformën qendrore të faturave, por zbatojnë procedurën e fiskalizimit përmes softuerëve të certifikuar.
Vendimi ngarkon Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

