9 shtatori shënon përvjetorin e prezantimit të raportit të Mario Draghi-t për të ardhmen e konkurrueshmërisë së Europës, një dokument i cituar shpesh nga politikanët dhe zyrtarët, por që ende zvarritet shumë në zbatim. Rezultatet e para të “Observatorit Draghi”, të publikuara të mërkurën në një aktivitet në Parlamentin Europian, të organizuar nga grupi Renew Europe, e konfirmojnë këtë gjendje.
Analiza e European Policy Innovation Council (EPIC) tregon se vetëm 11.2% e 383 rekomandimeve të raportit janë zbatuar, ndërsa një e pesta janë zbatuar vetëm pjesërisht. Përparimi shihet kryesisht në transport dhe lëndë të para, ndërsa digjitalizimi, teknologjitë e pastra dhe energjia kanë mbetur në vend.
Antonios Nestoras, themelues dhe drejtor ekzekutiv i EPIC, tha për Euractiv Italy:
“Në çdo fushë të teknologjive të së ardhmes, Europa ka mbetur vetëm spektatore: pa AI, pa gjysmëpërçues, pa kompani të mëdha teknologjie, pa akses në lëndët e para të nevojshme për prodhimin e baterive. Edhe në sektorë ku dikur ishim liderë – telekomunikacion, panele diellore, makina – ose jemi zhdukur, ose jemi tejkaluar nga Kina, SHBA dhe ekonomitë e reja. Ky nuk është mallkim, por një zgjedhje. Apo më mirë, mungesa e saj”.
Në vend të mbështetjes, krijojmë pengesa
Sipas analizës së EPIC, digjitalizimi pothuajse nuk ka lëvizur fare, edhe pse Draghi e kishte theksuar si një nga fushat kryesore për të kapur hendekun me SHBA-në. Nestoras theksoi:
“Raporti i Draghi-t thjesht tregoi realitetin dhe dha një rrugë përpara. Por në vend që të mbështesim atë pak ekselencë ‘Made in Europe’ që na ka mbetur, ne prodhojmë burokraci dhe rregulla të pafundme që vetëm e ngatërrojnë situatën”.
Ai shtoi më tej:
“Në vend që të krijojmë kushte që studiuesit dhe talentet tona të qëndrojnë këtu dhe të ndërtojnë të ardhmen, shpikim taksa dhe tarifa të reja që dëmtojnë industritë që investojnë në inovacion, edhe kur kjo është kundër interesit publik ose shëndetit”.
Nestoras solli disa shembuj konkretë:
- “Industria e makinave: Europa ishte lidere për një shekull, derisa vendosi të shkatërrojë aftësinë e vet për të konkurruar.
- Panelet diellore: Dikur Europa ishte qendra botërore e prodhimit. Sot ka mbetur shumë pak nga ajo periudhë e artë.
- Industria e duhanit: Dikur prodhonte vetëm cigare të dëmshme. Në dekadën e fundit ka investuar miliona në një zinxhir tërësisht europian për zhvillimin e produkteve të teknologjisë së lartë me risk të reduktuar. Dhe si përgjigjet Europa? Me premtime për taksa të reja, ndalime dhe rregulla shtrënguese. Sektorë të ndryshëm, por logjikë e njëjtë”.
Ndryshuan sloganet, jo përmbajtja
Përballë kësaj situate, drejtori i EPIC e quajti “shpenzim të kotë të talenteve dhe burimeve”, duke e cilësuar “të turpshme”. Ai shtoi:
“Nëse Europa do të ishte një kompani, investitorët do të kishin paditur bordin drejtues. Megjithatë, për arsye të pakuptueshme, duket se BE po vazhdon në të njëjtën rrugë. Kanë ndryshuar sloganet, por jo përmbajtjen”.
Në fund, Nestoras shpjegoi arsyen pse u krijua “Observatori Draghi”:
“Për të monitoruar përparimin e axhendës së Draghi-t, për të vlerësuar reformat dhe objektivat dhe, mbi të gjitha, për t’i treguar qartë Komisionit dhe ligjvënësve të BE-së çfarë nuk duhet të bëjnë, nëse nuk duam që Europa të kthehet në një muze të bukur të së kaluarës”.
Rasti i Shqipërisë
Rajoni, por edhe Shqipëria si vend aspirant për në Bashkimin Europian, duhet të jenë të hapur ndaj inovacionit dhe teknologjive të reja, sepse vetëm kështu mund të ofrojnë për qytetarët zgjidhje më të sigurta dhe me ndikim pozitiv në ekonomi. Kjo përfshin digjitalizimin në çdo hallkë, përdorimin e automjeteve elektrike, energjisë së rinovueshme dhe produkteve alternative me risk të reduktuar.
Sidomos tani që vendi ynë po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje për shkak të rritjes së turizmit, investimeve të huaja dhe organizimit të një sërë eventesh e konferencash ndërkombëtare, ne duhet të jemi më të përgatitur për ta përqafuar këtë transformim të domosdoshëm që prek të gjithë ekonominë vendase. Kjo do të thotë të nxisim politika lehtësuese për investimet dhe jo të kthehemi në burim pengesash apo ndalimesh. Në këtë fazë të rëndësishme, ekzistojnë plot shembuj suksesi nga të cilët mund të frymëzohemi dhe të mësojmë.