Pas prezantimit nga qeveria të paketës së mbështetjes për bizneset shqiptare në procesin e përshtatjes me tregun e Bashkimit Evropian, një tjetër nismë e rëndësishme në kuadër të integrimit evropian është hedhur për konsultim publik. Bëhet fjalë për projektligjin “Për raportimin dhe shkëmbimin automatik të informacionit mbi mekanizmat ndërkufitarë në fushën e tatimeve”, i cili sjell për herë të parë në Shqipëri zbatimin e standardit evropian DAC6 për transparencën fiskale.
Ashtu siç ka raportuar edhe më herët Ekofin.al, bazuar në nismën e prezantuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, projektligji synon të forcojë bashkëpunimin administrativ ndërkombëtar, të rrisë transparencën në fushën e tatimeve dhe të identifikojë në kohë rastet e evazionit, shmangies dhe planifikimit agresiv tatimor.
Risia kryesore e projektligjit është vendosja e detyrimit për raportimin e mekanizmave ndërkufitarë që mund të krijojnë avantazhe tatimore ose të përdoren për transferimin e fitimeve dhe minimizimin e barrës fiskale. Detyrimi i raportimit do të rëndojë mbi ndërmjetësit, si konsulentët tatimorë, avokatët, audituesit dhe subjektet e tjera që hartojnë, organizojnë apo asistojnë në zbatimin e këtyre strukturave ndërkufitare. Në rastet kur ndërmjetësi përjashtohet për shkak të sekretit profesional, detyrimi kalon te vetë tatimpaguesi.
Projektligji parashikon që raportimi të kryhet brenda 30 ditëve nga momenti kur mekanizmi vihet në dispozicion për zbatim, bëhet gati për zbatim ose realizohet hapi i parë i tij. Për mekanizmat e tregtueshëm, ndërmjetësit do të kenë detyrimin të raportojnë periodikisht çdo tre muaj.
Risia kryesore është krijimi i sistemit elektronik të raportimit, i cili do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe do të mundësojë shkëmbimin automatik të informacionit me autoritetet tatimore të vendeve të Bashkimit Evropian.
Projektligji përcakton një sërë kategorish të mekanizmave të raportueshëm, duke përfshirë strukturat që synojnë transferimin e humbjeve tatimore, konvertimin e të ardhurave në forma me tatim më të ulët, pagesat ndërkufitare drejt juridiksioneve me taksim minimal ose zero, skemat që shmangin shkëmbimin automatik të informacionit financiar, si dhe disa forma të çmimeve të transferimit brenda grupeve ndërkombëtare.
Për shkeljet e detyrimeve të reja, projektligji parashikon sanksione të konsiderueshme administrative. Mosraportimi mund të dënohet me gjoba nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë, ndërsa raportimi i të dhënave të pasakta ose të rreme mund të penalizohet deri në 600 mijë lekë. Në rastet e pengimit të kontrollit ose mosbashkëpunimit me autoritetet tatimore, gjobat mund të arrijnë deri në 1 milion lekë.
Megjithëse ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, efektet e tij do të fillojnë të zbatohen në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me Traktatin e Anëtarësimit.

