Qeveria do të ndërhyjë sot për herë të parë këtë vit në Buxhetin e Shtetit 2026 përmes një Akti Normativ, duke rishikuar të ardhurat, shpenzimet dhe disa nga politikat kryesore sociale e ekonomike. Drafti i ndryshimeve, të cilin Ekofin.al e disponon ekskluzivisht, parashikon një paketë të gjerë masash që përfshin rritjen e pensioneve nga 1 korriku, mbështetje më të madhe për personat me aftësi të kufizuara, shtim të financimit për mbrojtjen dhe procesin e integrimit europian, si edhe zgjerimin e skemës së Garancisë Sovrane për bizneset.
Një nga ndryshimet lidhet me pensionet. Drafti parashikon që indeksimi vjetor të zbatohet nga 1 korriku 2026, tre muaj më herët nga sa ishte planifikuar fillimisht. Sipas Ministrisë së Financave, kjo masë synon të zbusë më shpejt efektet e inflacionit mbi të ardhurat e pensionistëve.
Një tjetër paketë e rëndësishme sociale lidhet me personat me aftësi të kufizuara. Qeveria propozon dyfishimin e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara duke filluar nga 1 korriku, me një efekt financiar prej rreth 750 milionë lekësh. Gjithashtu, nga 1 tetori 2026 shteti do të marrë përsipër pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për të gjithë kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, me një kosto të vlerësuar prej 674 milionë lekësh.
Një pjesë e konsiderueshme e fondeve shtesë do të orientohet drejt sektorit të mbrojtjes. Dokumenti thekson se Shqipëria synon të arrijë financimin e mbrojtjes në nivelin 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në përmbushje të angazhimeve të marra në kuadër të NATO-s dhe modernizimit të kapaciteteve mbrojtëse.
Po ashtu, buxheti do të rrisë financimin për procesin e integrimit europian, me synimin për të garantuar burimet financiare të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me negociatat dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në aspektin fiskal, projekt-akti parashikon një rritje të të ardhurave buxhetore me 20.1 miliardë lekë, e cila do të shoqërohet me një rritje në të njëjtën masë të shpenzimeve publike. Përveç fondeve të reja, qeveria do të kryejë edhe rialokime të brendshme, duke zhvendosur kursimet nga projektet që nuk pritet të realizohen plotësisht gjatë këtij viti drejt investimeve dhe programeve me kapacitete më të larta zbatimi.
Një nga përfituesit kryesorë të këtyre rialokimeve do të jetë sektori i mbrojtjes, por edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për financimin e projekteve prioritare.
Drafti sjell edhe një ndryshim të rëndësishëm për financimin e biznesit. Qeveria propozon zgjerimin e Garancisë Sovrane, e cila deri tani ishte e dedikuar kryesisht për fermerët dhe bizneset në sektorin e bujqësisë. Me ndryshimet e reja, skema do të shtrihet edhe tek ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Sipas draftit, zgjerimi i skemës synon të përmirësojë aksesin në financim për bizneset që vazhdojnë të përballen me vështirësi strukturore në marrjen e kredive bankare. Vlera e garancisë shtesë llogaritet në rreth 2 miliardë lekë. /ekofin.al

