Bizneset që operojnë në më shumë se një shtet do të përballen me një nivel më të lartë transparence fiskale, ndërsa administrata tatimore shqiptare do të shkëmbejë automatikisht informacion me autoritetet homologe të vendeve partnere për vendimet tatimore dhe marrëveshjet paraprake të çmimeve. Kjo është risia kryesore që sjell projektligji i ri “Për shkëmbimin automatik të vendimeve tatimore ndërkufitare në avancë dhe marrëveshjeve të çmimit në avancë”, i nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Financave.
Projektligji synon të vendosë një mekanizëm të ri bashkëpunimi ndërkombëtar, përmes të cilit vendimet tatimore që mund të ndikojnë në më shumë se një juridiksion nuk do të mbeten më vetëm në administratën shqiptare, por do të ndahen automatikisht me administratat tatimore të vendeve përkatëse. Në të njëjtën kohë, ai rregullon edhe shkëmbimin e informacionit për marrëveshjet e çmimit në avancë (Advance Pricing Agreements – APA), të përdorura nga grupet shumëkombëshe për përcaktimin paraprak të metodologjisë së çmimeve të transferimit.
Një tjetër risi është përafrimi i plotë i legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, konkretisht me mekanizmat e njohur si DAC3, të cilët synojnë rritjen e transparencës fiskale dhe luftën ndaj planifikimit agresiv tatimor. Përmes këtij mekanizmi pritet të forcohet bashkëpunimi ndërkombëtar në administrimin e tatimeve, të parandalohet transferimi artificial i fitimeve dhe të mbrohet baza tatimore e shtetit.
Projektligji është publikuar në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike dhe do të jetë i hapur për komente dhe sugjerime deri më 28 korrik 2026. Ministria e Financave fton bizneset, ekspertët fiskalë, organizatat e interesit dhe qytetarët të japin kontributin e tyre gjatë procesit të konsultimit.
Çfarë janë vendimet tatimore ndërkufitare?
Vendimet tatimore ndërkufitare në avancë janë akte administrative me të cilat autoriteti tatimor përcakton paraprakisht trajtimin fiskal të një transaksioni, strukture apo marrëdhënieje që përfshin më shumë se një shtet. Këto vendime u japin siguri juridike investitorëve dhe bizneseve, por njëkohësisht kërkojnë një nivel të lartë transparence për të shmangur përdorimin e tyre në skema të shmangies së detyrimeve tatimore.
Ndërkohë, marrëveshjet e çmimit në avancë (APA) përcaktojnë paraprakisht mënyrën e vendosjes së çmimeve të transferimit ndërmjet kompanive të lidhura që operojnë në juridiksione të ndryshme, duke reduktuar konfliktet dhe pasiguritë tatimore.
Cilat janë objektivat e projektligjit?
Përmes këtij kuadri të ri ligjor synohet rritja e transparencës në sistemin tatimor, forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet administratave fiskale, parandalimi i transferimit artificial të fitimeve, reduktimi i praktikave të shmangies dhe evazionit tatimor, mbrojtja e bazës tatimore të shtetit si dhe përafrimi i legjislacionit shqiptar me acquis communautaire të Bashkimit Evropian.
Kush preket nga ndryshimet?
Projektligji prek kryesisht grupet shumëkombëshe, kompanitë që zhvillojnë transaksione ndërkufitare, subjektet që aplikojnë për marrëveshje paraprake të çmimeve, si dhe administratën tatimore shqiptare, e cila do të jetë institucioni përgjegjës për administrimin dhe shkëmbimin automatik të këtij informacioni. /ekofin.al

