Deficiti i skemës së pensioneve në Shqipëri është ngushtuar ndjeshëm gjatë vitit 2025, një zhvillim që sipas ekspertes së ekonomisë Teuta Nunaj-Kortoçi lidhet drejtpërdrejt me rritjen e të ardhurave nga kontributet shoqërore, performancën më të mirë të tregut të punës dhe zgjerimin e ekonomisë.
Në një prononcim për Ekofin.al, Nunaj-Kortoçi evidenton se ulja e nevojës për subvencionim nga buxheti i shtetit është rezultat i tre faktorëve kryesorë.
“Rritja e të ardhurave nga kontributet direkte nga skema e detyrueshme me 51.1 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë, ose rreth 10%, tregon se më shumë të ardhura janë derdhur në skemën e sigurimeve shoqërore, si pasojë e rritjes së pagave dhe formalizimit të punësimit”, shprehet ajo.
Sipas ekspertes, një tregues edhe më domethënës është fakti se ritmi i rritjes së të ardhurave ka tejkaluar ritmin e rritjes së shpenzimeve.
“Rritja e të ardhurave nga kontributet direkte ka qenë më e lartë se rritja e shpenzimeve për përfitimet nga skema e detyrueshme, me një diferencë prej 3.2%. Kjo do të thotë se janë mbledhur më shumë të ardhura sesa janë rritur detyrimet e skemës”, thekson Nunaj-Kortoçi.
Një ndikim pozitiv, sipas saj, ka pasur edhe zgjerimi i ekonomisë shqiptare.
“Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto me 3.79% në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024 ka sjellë më shumë aktivitet ekonomik, më shumë punësim dhe rrjedhimisht më shumë kontribute për skemën e pensioneve”, argumenton ekspertja.
Të ardhurat u rritën, por skema mbeti në deficit
Megjithëse treguesit financiarë janë përmirësuar, skema e pensioneve nuk ka arritur ende të vetëfinancohet plotësisht.
Sipas pasqyrës financiare të vitit 2025, nga kontributet shoqërore janë arkëtuar 193.8 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet totale për pensionet kanë arritur në 204 miliardë lekë. Kjo ka krijuar një hendek financiar prej 10.2 miliardë lekësh, i cili është mbuluar nga buxheti i shtetit përmes një subvencioni prej rreth 10.16 miliardë lekësh.
Megjithatë, pesha e këtij deficiti në ekonomi ka ardhur në rënie të ndjeshme. Deficiti i skemës përfaqësoi vetëm 0.38% të PBB-së në vitin 2025, nga 0.68% një vit më parë.
Pse ekziston ende hendeku financiar?
Sipas analizës së Nunaj-Kortoçit, rritja e kontributeve nuk ka qenë ende e mjaftueshme për të mbuluar tërësisht faturën e pensioneve.
“Edhe pse numri i kontribuuesve dhe niveli i kontributeve janë rritur, skema vazhdon të mbajë barrën e një numri të lartë përfituesish. Pensionet aktuale financohen nga kontributet e punonjësve aktivë dhe për këtë arsye raporti mes kontribuuesve dhe pensionistëve mbetet vendimtar për balancën financiare të sistemit”, shpjegon ajo.
Ekspertja nënvizon se faktorët demografikë vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi skemën, ndërsa plakja e popullsisë, emigracioni dhe rritja graduale e shpenzimeve për pensione e bëjnë të domosdoshme mbështetjen e saj nga buxheti i shtetit.
Megjithatë, ajo e konsideron uljen e deficitit si një sinjal pozitiv për qëndrueshmërinë fiskale të sistemit. “Treguesit e vitit 2025 dëshmojnë se skema po lëviz në drejtimin e duhur. Rritja e formalizimit, zgjerimi i bazës së kontribuuesve dhe rritja ekonomike po japin efektet e tyre konkrete në financat e sigurimeve shoqërore, duke reduktuar gradualisht varësinë nga subvencionet buxhetore”, përfundon Nunaj-Kortoçi. /ekofin.al

