Mungesa e laboratorëve të akredituar po ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e Shqipërisë për të eksportuar produkte industriale të certifikuara drejt tregjeve Evropiane.
Shumë kompani që duan të shesin jashtë vendit nuk mund ta mbyllin procesin e testimit dhe certifikimit brenda Shqipërisë, sepse vendi nuk ka ende një rrjet të plotë laboratorësh të akredituar sipas standardit ISO 17025. Ky standard është i rëndësishëm sepse tregon se një laborator është teknikisht i aftë të kryejë matje, testime dhe kalibrime të besueshme. Pa laboratorë të tillë, produktet shqiptare kanë më pak mundësi të marrin certifikime të pranuara ndërkombëtarisht, ndërsa eksportuesit përballen me më shumë pengesa.
Për këtë arsye, bizneset shpesh detyrohen t’i kryejnë analizat dhe certifikimet jashtë vendit, duke paguar më shumë, duke humbur kohë dhe duke hyrë në treg me kosto më të larta se konkurrentët e tyre në rajon apo në Bashkimin Evropian.
Kjo është një nga problematikat kryesore që evidenton Strategjia e Industrisë 2026–2030, ku thuhet se integrimi i industrisë shqiptare në tregun e brendshëm të BE-së kufizohet nga dobësitë në standardizim, akreditim, testim dhe vlerësim konformiteti. Me fjalë të thjeshta, shumë produkte shqiptare mund të prodhohen, por nuk arrijnë të provojnë me dokumente të njohura ndërkombëtarisht se plotësojnë standardet teknike dhe rregullatore që kërkon tregu Evropian.
Kjo e mban industrinë shqiptare në një pozicion të dobët konkurrues. Sipas strategjisë, vetëm 1.53% e eksportit të industrisë përpunuese në Shqipëri përfaqësohet nga produkte me teknologji të mesme dhe të lartë. Ky tregues është shumë më i ulët se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor 6, ku arrin në 7.13%, dhe ndjeshëm larg Bashkimit Evropian, ku pesha është 20.48%. Diferenca tregon se Shqipëria eksporton kryesisht produkte me vlerë më të ulët, ndërsa hyrja në tregje më fitimprurëse pengohet nga mungesa e certifikimeve, standardeve dhe testimeve të besueshme.
Dokumenti evidenton edhe kapacitete të pabarabarta institucionale për inspektimin dhe kontrollin e produkteve. Kjo krijon dy probleme njëkohësisht: nga njëra anë rrit rrezikun që në treg të hyjnë produkte jo-konforme, dhe nga ana tjetër dobëson besueshmërinë e produkteve shqiptare që kërkojnë të certifikohen dhe të eksportohen. Mungesa e integrimit të plotë me sistemet Evropiane të mbikëqyrjes së tregut, si ICSMS, kufizon gjithashtu shkëmbimin e informacionit me institucionet e BE-së.
Për të adresuar këtë situatë, Strategjia e Industrisë 2026–2030 parashikon deri në vitin 2030 të ketë të paktën 5 laboratorë të akredituar reference ose kapacitete testimi të akredituara sipas ISO 17025 në sektorët strategjikë. Për sigurimin e këtyre laboratorëve, kosto e financimit vlerësohet në 1,420,000 lekësh.
Gjithashtu parashikohet krijimi i një skeme mbështetëse për ndërmarrjet që duhet të përmbushin standardet dhe kërkesat teknike të BE-së. Kjo skemë parashikon bashkëfinancimin e kostove për testim, certifikim, përshtatje produktesh, paketim, etiketim dhe sisteme gjurmueshmërie. Synimi është që kompanitë të mos e mbajnë të vetme barrën financiare të certifikimit dhe të kenë më shumë mundësi për të hyrë në tregun Evropian. /ekofin.al

