Pavarësisht se pikat dhe lokalet ku zhvillohen baste sportive apo aktivitete të tjera të lojërave të fatit dallohen lehtësisht në shumë lagje të Tiranës dhe në disa nga qytetet më të mëdha të vendit, statistikat zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme tregojnë një rënie të ndjeshme të procedimeve penale për këtë fenomen gjatë vitit 2025.
Raporti mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2025 evidenton se procedimet për zhvillimin e paligjshëm të lojërave të fatit kanë rënë me 36.33% krahasuar me një vit më parë. Pesha e kësaj kategorie veprash penale në totalin e procedimeve në vend zbriti në 0.71%, nga 1.20% që ishte në vitin 2024, ndërsa koeficienti i kriminalitetit për 100 mijë banorë ra nga 12.49 në 8.08.
Shifrat krijojnë përshtypjen e një tkurrjeje të ndjeshme të fenomenit, por realiteti që perceptohet nga qytetarët në terren duket më kompleks. Në shumë zona të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të mëdha, lokalet që dyshohet se ofrojnë baste sportive apo forma të tjera të lojërave të fatit vijojnë të funksionojnë në mënyrë të dukshme, duke ngritur pikëpyetje nëse rënia e procedimeve lidhet me një ulje reale të aktivitetit apo me një intensitet më të ulët të goditjes nga organet ligjzbatuese.
Të dhënat e Prokurorisë tregojnë gjithashtu se numri i të pandehurve të regjistruar për këto vepra penale ka rënë me mbi 50%, ndërsa procedimet e dërguara në gjykatë janë ulur me afro 13%. Megjithatë, paradoksalisht, numri i të pandehurve të dërguar në gjykatë është rritur me 3.55%, ndërsa ai i personave të dënuar është rritur me 3.95%.
Kjo sugjeron se, edhe pse janë regjistruar më pak raste të reja, dosjet që kanë arritur deri në gjykatë kanë pasur një volum më të madh personash të përfshirë dhe kanë prodhuar më shumë vendime dënuese.
Fenomeni mbetet pothuajse ekskluzivisht mashkullor. Sipas raportit, 99.75% e të pandehurve për lojërat e paligjshme të fatit janë meshkuj. Po ashtu, pjesa dërrmuese e tyre jetojnë në zona urbane. Rreth 85.8% e të pandehurve kanë vendbanim në qytet, ndërsa vetëm 14.2% në fshat, çka konfirmon karakterin kryesisht urban të kësaj veprimtarie.
Interesant është edhe fakti se shumica e personave të proceduar nuk kanë precedentë penalë. Mbi 95% e tyre rezultojnë të padënuar më parë, ndërsa vetëm 0.51% kanë qenë të dënuar për të njëjtën vepër penale.
Nga pikëpamja gjeografike, Korça kryeson me 25% të procedimeve të regjistruara në nivel kombëtar, e ndjekur nga Durrësi me 24% dhe Tirana me 21%. Në fund të listës qëndrojnë Gjirokastra dhe Saranda me rreth 1% të procedimeve secila, ndërsa Berati me më pak se 1%.
Pothuajse të gjitha rastet lidhen me veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, e cila përbën 96.86% të totalit të grupveprave. Edhe për këtë kategori, procedimet e regjistruara kanë rënë me afro 36% krahasuar me vitin paraardhës.
Raporti nxjerr në pah edhe një tjetër element domethënës. Edhe pse prokuroria ka kërkuar dënim me burg për më shumë se 99% të të pandehurve, në mbi 80% të rasteve ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen në provë. Gjykatat kanë ndjekur kryesisht të njëjtën linjë, duke vendosur masa alternative për 85.55% të të dënuarve. Ndërkohë, pothuajse një në pesë të pandehur ka përfunduar me vendim pafajësie.
Në kushtet kur aktivitetet e basteve të paligjshme vazhdojnë të perceptohen gjerësisht nga publiku si të pranishme në terren, rënia e fortë e procedimeve gjatë vitit 2025 ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e identifikimit dhe goditjes së fenomenit, si edhe mbi shkallën reale të përhapjes së tij në ekonominë informale. /ekofin.al

Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

