Hyrjet e të huajve në Shqipëri vijojnë të mbeten motori kryesor i lëvizjeve në kufi edhe gjatë pranverës së këtij viti, duke konfirmuar vazhdimin e flukseve të larta turistike dhe interesit për vendin. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se në muajin Prill 2026 hynë në Shqipëri 891,414 shtetas të huaj, me një rritje prej 8.8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.
Në total, gjatë katërmujorit Janar-Prill 2026, në vend kanë hyrë 2,569,195 shtetas të huaj, ose 5.1% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur numri i tyre ishte 2,445,367.
Evropa vijon të dominojë hyrjet e të huajve në Shqipëri. Vetëm nga Evropa Jugore kanë hyrë 621,463 shtetas gjatë muajit prill dhe rreth 1.97 milionë në katër muajt e parë të vitit. Ndërkohë, rritje të forta janë regjistruar edhe nga Evropa Qendrore dhe Veriore, si dhe nga Azia e Jugut, duke reflektuar zgjerimin gradual të hartës së turistëve që zgjedhin Shqipërinë.

Sipas INSTAT, 98% e hyrjeve të shtetasve të huaj janë realizuar për qëllime personale, kryesisht turizëm, pushime apo vizita familjare. Hyrjet për qëllime personale u rritën me 9.2% në prill, ndërsa ato për biznes dhe arsye profesionale ranë me 4.7%.
Nga ana tjetër, edhe shqiptarët kanë rritur lëvizjet jashtë vendit. Në Prill 2026, nga Shqipëria dolën 742,088 shtetas shqiptarë, me një rritje prej 8.5% krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Ndërsa për periudhën Janar-Prill 2026, daljet e shqiptarëve arritën në 2,732,573, ose 6.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Në total, hyrjet dhe daljet në kufijtë shqiptarë vijojnë të mbeten në nivele të larta, me mbi 5.2 milionë hyrje dhe 5.3 milionë dalje gjatë katër muajve të parë të vitit, duke reflektuar intensifikimin e lëvizjeve turistike, familjare dhe ekonomike./ekofin.al

