Sot ka nisur në Pallatin e Kongreseve edicioni i 28-të i Panairit të Librit në Tiranë, ngjarja më e madhe vjetore që bashkon shkrimtarë, përkthyes, studiues dhe dashamirës të librit. Me moton “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”, panairi vjen këtë vit nën një atmosferë reflektimi mbi gjendjen e vështirë të botimeve në vend.
Gjatë një konference për mediat, përfaqësues të shtëpive botuese ngritën shqetësimin për rënien e ndjeshme të numrit të librave të rinj që prezantohen në panair. Sipas tyre, shumë botues nuk kanë asnjë titull të ri, ndërsa të tjerë prezantojnë vetëm disa pak botime të reja, duke dëshmuar një krizë si në sasi, ashtu edhe në cilësi.
Botuesit theksuan se situata lidhet me mungesën e mbështetjes financiare dhe me investimet minimale të shtetit në fushën e librit, ndryshe nga vendet fqinje, ku qeveritë ofrojnë fonde të konsiderueshme për përkthime, të drejta autori dhe bibliotekat publike. Në Shqipëri, sipas tyre, buxhetet për bibliotekat janë simbolike dhe shpesh furnizimet reduktohen në pak libra për një qytet të tërë.
Megjithë vështirësitë, Panairi i Librit në Tiranë vijon të mbetet një pikëtakim i rëndësishëm kulturor. Të shtunën pritet ndarja e çmimeve për autorin më të mirë, përkthyesin, librin më të mirë studimor dhe atë për fëmijë, ndërsa do të jepen edhe çmime të veçanta nga ambasadat e Francës dhe Polonisë.

