Raporti më i fundit i OECD-së mbi arsimin ka analizuar faktorët e stresit, menaxhimin e klasës dhe mënyrat e vlerësimit të mësuesve në Shqipëri, duke krahasuar rezultatet me mesataren e vendeve të OECD-së. Të dhënat tregojnë se mësuesit shqiptarë përballen me përgjegjësi të larta për performancën dhe mirëqenien e nxënësve, por gjithashtu shfaqin një nivel të lartë disipline dhe vlerësimi profesional të strukturuar.
Burimet e stresit
Në Shqipëri, burimet më të zakonshme të stresit për mësuesit janë: përgjegjësia për arritjet e nxënësve – 49%; përgjegjësia për mirëqenien sociale dhe emocionale të nxënësve – 35%, mbajtja e disiplinës në klasë – 33%.
Këto të dhëna tregojnë se presioni profesional në Shqipëri lidhet më shumë me rezultatet dhe mirëqenien e nxënësve sesa me sjelljen e tyre gjatë mësimit.
Menaxhimi i klasës dhe sjellja e nxënësve
Vetëm 35% e mësuesve në Shqipëri raportojnë se, në një klasë të zgjedhur rastësisht, më shumë se 1% e nxënësve i përkasin më shumë se një prej kategorive si nxënës me probleme të sjelljes, nxënës me vështirësi në kuptimin e gjuhës së mësimdhënies apo nxënës me nevoja të veçanta arsimore.
Kjo përqindje është dukshëm më e ulët se mesatarja e OECD-së prej 77%. Raporti vëren gjithashtu se mësuesit fillestarë janë më të prirur të japin mësim në klasa të tilla të larmishme krahasuar me kolegët e tyre me përvojë.
Sa i përket kohës së humbur gjatë mësimit, vetëm 2% e mësuesve raportojnë se humbin “mjaft kohë” për shkak të ndërprerjeve nga nxënësit, ndërkohë që në OECD kjo përqindje arrin në 18%. Po kwshtu, mësuesit shqiptarë shpenzojnë 7% të kohës së orës për të mbajtur rregull në klasë, ndjeshëm më pak se mesatarja 15% në OECD.
Vlerësimi i mësuesve
Sipas drejtorëve të shkollave, metodat më të zakonshme të vlerësimit të performancës së mësuesve në Shqipëri janë vëzhgimi i mësimdhënies në klasë – 100%, vetëvlerësimi i punës nga mësuesit – 100%; rezultatet në nivel shkolle dhe klase – 100%.
Ndër pasojat më të zakonshme të procesit të vlerësimit janë diskutimi me mësuesin për masa për përmirësim të mësimdhënies – 92%, hartimi i një plani zhvillimi ose trajnimi profesional – 85% ose ndryshime në mundësitë për avancim në karrierë – 25%. /ekofin.al

