Në një kohë kur rritja ekonomike përballet me sfida, remitancat vijojnë të mbeten një nga kolonat kryesore të ekonomisë shqiptare. Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, emigrantët shqiptarë kanë dërguar në atdhe 532 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 4,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Remitancat përfaqësojnë një burim jetik për shumë familje shqiptare, duke mbuluar shpenzimet e përditshme, arsimin, shëndetësinë dhe madje duke shërbyer si kapital fillestar për biznese të vogla. Në shumë raste, këto të ardhura shërbejnë si “oksigjen” për konsumatorët, sidomos në zonat rurale dhe familjet me të ardhura të ulëta.
Ekspertët theksojnë se remitancat jo vetëm që ndihmojnë në rritjen e konsumit, por gjithashtu kontribuojnë në stabilitetin e kursit të këmbimit dhe në balancimin e deficitit tregtar, duke qenë se një pjesë e mirë e importeve financohet përmes këtyre prurjeve.
Shtetet fqinje Italia dhe Greqia vazhdojnë të mbajnë peshën më të madhe të dërgesave monetare, si pasojë e numrit të lartë të emigrantëve shqiptarë të vendosur atje prej dekadash.
Në vitet e fundit, një rritje e ndjeshme është vërejtur nga Anglia dhe Gjermania, vende ku emigracioni shqiptar është shtuar ndjeshëm, sidomos pas hapjes së tregut të punës dhe lëvizjes së lirë.
Rritja e remitancave prej 4,3% shihet si një zhvillim pozitiv, por ekspertët paralajmërojnë se një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve ende përdoret vetëm për konsum dhe jo për investime produktive. Për këtë arsye, prej vitesh diskutohet nevoja që remitancat të kanalizohen më shumë drejt investimeve në biznes të vogël dhe të mesëm, banesa rezidenciale me standarde më të larta dhe produkteve të kursimit afatgjatë.
Megjithatë, fakti që ato vijojnë të rriten, edhe në një periudhë sfidash ekonomike globale, tregon për lidhjen e fortë të diasporës shqiptare me vendin e origjinës. /ekofin.al

