Ministria e Mbrojtjes, përmes një njoftimi për shtyp të hënën, deklaroi se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 34 vatra zjarri në vend, nga të cilat 17 janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 56 automjete zjarrfikëse, 953 forca operacionale, si dhe 5 helikopterë nga Forcat e Armatosura dhe 1 avion “Canadair” italian, i ofruar nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Evropiane.
Një skenar i përsëritur dhe i paralajmëruar
Edhe vitin e kaluar, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri në Shqipëri u përball me sfida të rënda, teksa vetëm gjatë periudhës janar–tetor 2024 u regjistruan 164 zjarre masive që përfshinë rreth 46,442 hektarë pyje dhe kullota, duke e kthyer vitin 2024 në një ndër më shkatërrimtarët për nga dëmet nga zjarri që prej vitit 2012.
Sipas të dhënave nga raporti “Qeverisja vendore në Shqipëri 2024” i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, buxheti i mbrojtjes nga zjarri për vitin 2024 ishte 1.5 miliardë lekë, i shpërndarë si transfertë sektoriale për 61 bashkitë e vendit. Ky funksion iu kaloi njësive të vetëqeverisjes vendore që nga viti 2016, si pjesë e Reformës Administrative-Territoriale. Aktualisht, vendi numëron 70 stacione zjarrfikëse me një staf minimal prej 14 punonjësish secila.
Por kapacitetet në terren mbeten të ulëta, sidomos për bashkitë e mëdha. Në rang kombëtar, Shqipëria ka vetëm 0.8 zjarrfikës për 1,500 banorë dhe 0.9 automjete zjarrfikëse për 10,000 banorë, ndërkohë që nevojat reale janë shumë më të mëdha, veçanërisht në rastet e zjarreve pyjore. Raporti tregon se bashkitë më të vogla kanë më shumë burime për frymë, për shkak të shpërndarjes së popullsisë në zona të largëta dhe me infrastrukturë më të vështirë. Tirana mban vendin e fundit për numrin e zjarrfikësve dhe mjeteve për banor, megjithëse është zona me përqendrimin më të madh të popullsisë.
Sipas raportit, situata përkeqësohet nga mungesa e planifikimit vendor: 33 nga 61 bashki nuk kanë hartuar ende plane menaxhimi për pyjet që administrojnë, duke vënë në rrezik reagimin efektiv në raste emergjence dhe duke shtuar pasigurinë për mjedisin dhe komunitetet.
Në maj 2024, një raport i Bankës Botërore evidentoi dobësitë strukturore në përballimin e zjarreve, sidomos në zonat e thella dhe të ashpra, për shkak të mungesës së automjeteve të përshtatshme, pajisjeve moderne dhe teknologjisë për zbulim të hershëm, si kamerat termike.
Përballë këtyre sfidave, Instituti për Bashkitë Shqiptare ka rekomanduar rritje të transfertave sektoriale, me qëllim modernizimin e flotës së automjeteve zjarrfikëse, sidomos në bashkitë me terren të vështirë, rritjen e numrit të zjarrfikësve sipas specifikave të territorit; krijimin e një fondi emergjencash për përballimin e situatave kritike; hartimin e planeve të menaxhimit të rrezikut nga zjarret, të përshtatura për çdo bashki; si dhe investime specifike për përballimin e zjarreve në pyje, të cilat kërkojnë qasje dhe logjistikë të ndryshme nga zjarret urbane. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.


1 Comment
Pingback: Shqipëria në flakë, Banka Botërore paralajmëroi mangësitë, fondet e pamjaftueshme dhe nevojën për investime në përballimin e emergjencave - Ekofin