Instat ka publikuar të dhënat mbi tregtinë e jashtme ku vihet re se vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Qershor 2024 janë: Kosova (64,8 %), Gjermania (39,6 %), Greqia (18,1 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (6,2 %), Spanja (19,3 %) dhe Maqedonia e Veriut (21,6 %).
Sa i përket gjashtëmujorit të parë të vitit, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (72,5 %), Greqia (8,6 %) dhe Gjermania (10,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (10,7 %) dhe Maqedonia e Veriut (29,8 %).
Në muajin Qershor 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë: Italia (5,5 %), Turqia (12,1 %). dhe SHBA (4,0 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kina (29,9 %), Greqia (1,3 %) dhe Gjermania (4,3 %).
Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (2,5 %), Turqia (18,3 %) dhe Gjermania (4,7 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritje më të madhe janë: Kina (25,2 %), Greqia (2,4 %) dhe Spanja (9,9 %).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 55,9 %, të gjithë tregtisë. Në Qershor 2025, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 67,4 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 50,7 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (26,5 %), Kina (11,4 %), Greqia (7,3 %) dhe Gjermania (7,0 %).
Shkëmbimet tregtare, për gjashtëmujorin e parë 2025, me vendet e BE-së zënë 57 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Qershor 2025, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 67,2 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,2 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (27,1 %), Kina (9,1 %), Greqia (7,6 %) dhe Turqia (7,1 %). /ekofin.al


