Bashkia e Tiranës ka propozuar një paketë të re masash pr ulje dhe përjashtime nga taksat dhe tarifat vendore për kategoritë e shoqërisë në nevojë.
Sipas projektvendimit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.158, datë 26.12.2019, të Këshillit Bashkiak, “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, të ndryshuar, në paketën e masave propozohet ulje me 50% e taksës për infrastrukturën arsimore dhe tarifën e pastrimit për bizneset e drejtuara nga gratë kryefamiljare me më shumë se 3 fëmijë.
“Lehtësohen nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore, në masën 50% bizneset e krijuara nga gra kryefamiljare që kanë tre ose më shume fëmijë, vetëm pas depozitimit të certifikatës familjare dhe ekstraktit historik të regjistrit tregtar me të dhënat e subjektit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore”, theksohet në projektvendim.
Gjithashtu, në relacion propozohet përjashtim nga taksat edhe për shoqatat e krijuara nga pensionistë dhe persona me aftësi të kufizuara.
Në relacion, thuhet se në nenin 38, “Lehtësira dhe përjashtime”, pas pikës 6, shtohen pika 7 dhe 8, të përjashtohen: “Nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore shoqatat e themeluara nga pensionistë ose nga persona me aftësi të kufizuara. Për të përfituar nga ky përjashtim përfaqësuesi juridik i shoqatës depoziton pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, vendimin e gjykatës nëpërmjet së cilit është regjistruar shoqata dhe dokumentin shoqërues që vërteton statusin e pensionistit apo të personit me aftësi të kufizuara sipas rastit”.
Sipas relacionit të projektvendimit përfitimi do të bëhet efektiv pas dorëzimit të dokumentacionit ligjor që vërteton përbërjen e shoqatës. Projektvendimet e bashkisë Tiranë do të hidhen edhe për konsultim publik.
