Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të vogla dhe një pjesë e mirë e atyre të mesme, në Shqipëri, e sigurojnë mbi 80% të lëndës së parë vrenda vendit, sipas shifrave të gjysmës së parë të vitit 2024.
Kjo është gjetja e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë që tregon se 61% e ndërmarrjeve të vogla dhe 36% e atyre të mesme e sigurojnë lëndën bazë brenda territorit, duke shënuar reciprokisht për secilën nga kategoritë një rritje me 1 pikë përqindjeje dhe 3 pikë përqindjeje krahasuar me periudhën paraardhëse.
E njëjta prirje është vënë re edhe tek ndërmarrjet e mëdha, ndërkohë që rreth 39% e ndërmarrjeve të këtij grupi, sigurojnë vetëm 20% të lëndës së parë brenda vendit.
Sektori i ndërtimit dhe ai i shërbimeve janë sektorët me varësinë më të madhe ndaj lëndës së parë të siguruar në vend, ku respektivisht 70% dhe 58% e ndërmarrjeve të këtyre sektorëve, siguron mbi 80% të lëndës së parë brenda vendit.
Për bizneset, shitja e produkteve vijon të mbetet kryesisht brenda vendit për rreth 88% e ndërmarrjeve të vogla, 69% e ndërmarrjeve të mesme dhe 56% e ndërmarrjeve të mëdha, të cilat shesin mbi 80% të volumit të produkteve të tyre në tregun vendas. Krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, ka pasur një rritje prej 4.6 pikë përqindjeje.
Sa i përket monedhës, rreth 21% e totalit të ndërmarrjeve deklarojnë se kryejnë veprimtarinë plotësisht ose kryesisht në valutë (kryesisht euro), duke shënuar rritje me 3 pikë përqindjeje dhe 4 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë. Peshën më të lartë të përdorimit të valutës e kanë ndërmarrjet e mëdha.
Gjatë periudhës së vrojtuar ka rezultuar se rreth 57% e ndërmarrjeve kanë vijuar të financojnë veprimtarinë e tyre vetëm nëpërmjet shitjeve (rreth 66% e ndërmarrjeve të vogla, 57% e ndërmarrjeve të mesme dhe 54% e ndërmarrjeve të mëdha), duke shënuar rënie për të tria kategoritë e ndërmarrjeve.
Ndërkohë, prirja e kombinimit të burimeve të financimit vijon të zërë një peshë të konsiderueshme për këtë periudhë, duke u rritur krahasuar me periudhën e kaluar, për të tria grupet e ndërmarrjeve. Megjithatë, peshën kryesore të tyre vijon ta ketë financimi i realizuar nëpërmjet kombinimit të shitjeve me rezervat e mbartura, ndjekur nga kombinimi i shitjeve me huanë./ekofin.al

